Kurti do të qëndrojë dy ditë për vizitë zyrtare në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e ardhshme do të shkojë për vizitë zyrtare në Bruksel të Belgjikës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për KALLXO.com se vizita e Kurtit do të jetë dy ditore.

Ai ka shtuar se kryeministri kosovar do të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian.

“Vizita dy ditorëshe në Bruksel gjatë mesit të javës së ardhshme është vizitë zyrtare e kryeministrit Kurti gjatë të cilës ai do të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut.

Kryeziu ka thënë se Kurti nuk do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Vizita në Bruksel është në shërbim të marrëdhënieve tona bilaterale me Bashkimin Evropian. Nuk do të ketë takim në mes kryeministrit Kurti dhe z. Vuçiq”, thuhet në përgjigje.

Zëdhënësi i Qeverisë ka shtuar se në lidhje me agjendën e takimeve të Kurtit në Bruksel, do të njoftojnë shumë shpejt.

Vizita e Kurtit në Bruksel, do të bëhet në kohën kur pas formimit të institucioneve të Kosovës, po kërkohet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi.

Këtë e kanë kërkuar së fundi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania.