Kurti: Do të komunikoj në serbisht me komunitetin serb që të më kuptojnë më mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në ditët në vijim do të flasë me serbët në gjuhën serbe që ata ta kuptojnë më mirë çështjen e Rregullores së BQK-së.

“Do të komunikoj dhe do i informoj më shumë komunitetin serb në ditët në vijim këtë muaj dhe do të flas në serbisht që ata të më kuptojnë më mirë dhe qartë sepse ne të cilët kemi qenë nën pushtimin e Serbisë e kemi kuptuar gjuhën serbe, por ata nuk e mësuan gjuhën tonë sepse ishim  të shtypur dhe të dominuar”- tha Kurti në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kurti theksoi se nuk ka asgjë kundër serbëve, duke shtuar se ka miq që janë serbë.

“Do flas në serbisht sepse nuk kam asgjë kundër serbëve, kam miq që janë serbë, kam një ministër që është serb, Nenad Rashiqin. Zëvendësi i tij është serb. Nuk besoj se dallimet etnike sjellin konflikte, në të kundërtën”- tha ai.

Kurti ka insistuar se dinari nuk është i ndaluar në Kosovë, porse, sipas tij, euroja është valuta e vetme sa i përket pagesës.

“Dinari nuk është ndaluar në Kosovë. Qytetarët e Kosovës mund të kenë dinarë, por euroja është valuta e vetme, sa i përket pagesës. Shekullin e kaluar ne kemi pasur dinarin si mjet pagese, kur ne ishim nën pushtim”- tha Kurti.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) është thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.

Në këtë seancë, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Nga 1 shkurti në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme. Rregullorja parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga 1 shkurti do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.