Kurti: Do të formojmë Fondin e Ekselencës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ekzekutivi do të formojë të ashtuquajturin Fondin e Ekselencës, i cili do të mbështesë iniciativa të ndryshme zhvillimore.

Sipas Kurtit, ky fond do të përshpejtojë reformën në sistemin publik.

“Një fond i tillë do të mbështesë iniciativat tona të shumta zhvillimore, do të përshpejtojë reformën në sektorin tonë publik dhe do të na ndihmojë të arrijmë objektivat tona prioritare si vend”, tha kryeministri.

Në takimin e ftuar lidhur me themelimin e këtij fondi kryeministri theksoi se janë në proces të përditësimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit.

“Aktualisht jemi në procesin e përditësimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit (SKZh) dhe objektiv yni është konsolidimi dhe integrimi i të gjithë mekanizmave të rëndësishëm të planifikimit në një plan të vetëm”, tha kryeministri Kurti.

Në komunikatën e Qeverisë thuhet se  kuadër të këtyre ndryshimeve janë paraparë katër shtylla kryesore: rritja e shpejtë dhe e qëndrueshme ekonomike, zhvillimi i barabartë njerëzor, siguria dhe sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë.