Kurti: Do të angazhohem që studentët që studiojnë jashtë të kthehen t'i vazhdojnë studimet nga këtu

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij, do të angazhohet që studentët që studiojnë e punojnë jashtë vendit të kthehen në Kosovë dhe t’i vazhdojnë studimet nga këtu duke bërë praktikë në institucionet e ndryshme publike.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga takimi i Kurtit me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF) Jacques Krabal, të shoqëruar nga drejtuesi i Misionit për Evropë në APF, deputeti Belg, Jean Charles Luperto, Sekretari i Përgjithshëm Administrativ i APF, Emmanuel Maury dhe këshilltari i AFP për rajonin e Evropës, Fatmir Leci, Cécile Fisterberg dhe Fikrije Pllashniku nga Ambasada Franceze, si dhe Bardha Etemi nga MPJ.

Sipas komunikatës së Vetëvendosjes, Krabal e uroi Kurtin për fitoren në zgjedhjet e fundit dhe që sipas tij, një proces i tillë zgjedhor e demokratik mund të merret shembull nga 88 shtetet anëtare të APF.

“Ai tregoi se APF i ka dy misione: të ofroj mundësi për mësimin e gjuhës frënge dhe të ndihmoj në zhvillimin e demokracisë në vendet anëtare të APF-së, dhe vendet tjera duke respektuar sovranitetin e secilit shtet. Sipas tij, Kosova ka bërë punë shumë të mirë drejt zhvillimit dhe kulturës frankofone por ka nevojë që të përmirësohet cilësia e mësimdhënies së gjuhës frankofone në të gjitha nivelet shkollore dhe akademike. Ai shprehu bindjen se me qeverisjen e ardhshme dhe bashkëpunimin e ndërsjellë do të ketë më shumë suksese në këtë pikë”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Më tej bëhet e ditur se Luperto theksoi rëndësinë e mundësive që ofrojnë organizatat ndërkombëtare si APF për shtrirjen e ndikimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në fund të këtij takimit, palët u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin e tyre drejë përparimit të statusit të Kosovës në APF dhe për zhvillimin e kulturës frankofone dhe demokracisë në Kosovë.