Kurti diskuton për çështje energjetike dhe mjedisore me AFD-në në Paris

Kryeministri Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, ka takuar drejtorin për Evropën Lindore, Lindjen e Mesme dhe Azinë, në Agjencinë Franceze për Zhvillim – AFD, Cyrille Bellier,  dhe Vladimir Deliryn nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës.

“Duke biseduar për angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin socio-ekonomik të vendit, kryeministri Kurti theksoi se Kosova është qendër e rajonit të EMENA-s dhe krahas pozitës gjeografike dhe stabilitetit institucional, Kosova ka potencial të madh në rajon”- thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në takim u bisedua edhe për sfidat sociale dhe ekonomike që janë specifike për Kosovën, duke përfshirë çështjet energjetike dhe mjedisore.

“Z.Bellier foli për objektivat e AFD-së në rajon dhe për veprime të mëtejshme për adresimin e sfidave specifike të Kosovës. U bisedua për angazhimin e Agjencisë Franceze për Zhvillim në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet e përbashkëta drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”- thuhet tutje në njoftim.

Në veçanti u bisedua për aktivitetet që janë pjesë e Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, kushtuar investimeve strategjike socio-ekonomike në rajon në koordinim me objektivat e Bashkimit Evropian për integrimin e rajonit.

Sipas ekzekutivit, ky takim në Paris i paraprinë një vizite të rëndësishme të AFD-së në Kosovë, javën e ardhshme.​ rtklive