Kurti: Digjitalizimi i arsimit në të gjitha nivelet është një nga objektivët kyç të strategjisë së re

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se arsimi cilësor është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës.

Kurti në hapje të Olimpiadës së Tretë Matematike Kosovë-Shqipëri për Klasat VII-IX tha se tashmë kanë finalizuar draftin e strategjisë së re të arsimit që adreson nevojat për zhvillimin e sektorit të arsimit në 5 vitet e ardhshme

“Strategjia e re parasheh intervenime rrënjësore për zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet, duke u bazuar në orientimet kyçe programore të qeverisë tonë, e që janë: e para, arsimi cilësor gjithëpërfshirës dhe i digjitalizuar; e dyta, harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me kërkesat e tregut të punës; e treta, menaxhimi efektiv i sistemit të arsimit në të gjitha nivelet; e katërta, arsimi i lartë me cilësi dhe integritet, në harmoni me standardet ndërkombëtare, dhe e pesta, përmirësimi i mjedisit për kërkime dhe inovacion”, citohet të ketë thënë Kurti.

Sipas Kurtit, digjitalizimi i arsimit në të gjitha nivelet është një nga objektivët kyç të strategjisë së re.

“Përmes përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe në përputhje me trendet globale të transformimit digjital, ne synojmë përmirësimin e shërbimeve dhe të cilësisë në arsim. Në arsim, si edhe në fushat tjera të qeverisjes sonë, një nga parimet kryesore në të cilat mbështetemi është ai i gjithpërfshirjes. Në programin tonë qeverisës, jemi zotuar që të avancojmë barazinë në çdo aspekt”, tha kryeministri Kurti.

Olimpiada e Tretë Matematike Kosovë-Shqipëri për Klasat VII-IX,  është organizim i përbashkët i shoqatave të matematikanëve të Kosovës dhe të Shqipërisë.