Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Dialogu me Serbinë ka ngecur, ka qenë në binarë të gabuar

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti në një intervistë për KALLXO.com, ka thënë se dialogu me Serbinë ka ngecur.

Ish-kryeministri ka theksuar se procesi i negociatave Kosovë-Serbi për disa vjet ka qenë në binarë të gabuar.

Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar të ndërpritet dialogu për një kohë derisa të unifikohet spektri politik pas zhvillimeve të fundit në Hagë.

Ndërkaq, Kurti thotë se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe koordinatori nacional për dialog, Skender Hyseni, “janë si peshku pa ujë pa dialog”.

“Natyrisht që dialogu ka ngecur. Për disa vjet ka qenë në binarë të gabuar. Por unë besoj se përderisa e kemi çiftin e këtij kryeministri me koordinatorin e Kosovës për dialogun Kosovë- Serbi, mund ta kërkojmë ndërprerjen e dialogut por këta nuk kanë zgjatje tjetër. Këta janë si peshku pa ujë pa dialog dhe mund të mbijetojnë vetëm me pështymën e dialogut”, është shprehur Kurti.

Ish-kryeministri ka shtuar se dialogu me Serbinë duhet të evropianizohet e demokratizohet.

“Nuk bën evropianizimi pa demokratizim. Kërkesa dëshpëruese deri në lutje që Serbia ta njohë Kosovën, që marrëveshja të jetë për njohjen e pavarësisë sonë, është edhe kurth. Pikërisht kjo po ia mundëson presidentit të Serbisë të pyes: Çka më jepni ju në shkëmbim’?”, tha mes tjerash ai.

Në një intervistë të gjatë për KALLXO.com, Albin Kurti mes tjerash flet rreth aktakuzës së Gjykatës Speciale, pasojave politike, zgjedhjeve të reja dhe synimin e tij për t’u rikthyer në pushtet me 50 për qind të votave.

Albin Kurti: Pas zgjedhjeve të ardhshme, situata do të ndryshojë radikalisht