Kurti: Dhuna ndaj grave dhe vajzave s’është çështje private por shoqërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Sektorin kundër Dhunës në Familje në kuadër të Policisë, ku tha se dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private por çështje e sigurisë publike e shoqërore, andaj duhet edhe reagimi i të gjithëve.

Kurti theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit me qytetarë dhe bashkërendimit të aktiviteteve me të gjithë akterët relevantë, të cilët në forma të ndryshme ofrojnë ndihmë dhe shërbime për viktimat e dhunës në familje, për të dëshmuar zero tolerancë për dhunën ndaj grave dhe vajzave.

Sipas një njoftimi për media, në këtë vizitë sot u bisedua për rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve relevante si Policia e Kosovës, prokuroria, gjykatat, mbrojtësit e viktimave, qendrat për punë dhe mirëqenie sociale, strehimoret dhe organizatat e grave që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, e që përbëjnë zinxhirin kryesor të mbrojtjes dhe mbështetjes për viktimat.

Kryeministri u njoftua nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm për Operativë i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, rreth angazhimit dhe planeve për parandalimin e dhunës në familje.

Ai konfirmoi se Policia e Kosovës është e përkushtuar në trajtimin profesional të rasteve të dhunës në familje, duke i trajtuar me prioritet dhe profesionalizëm, bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës.

“Të dhënat policore tregojnë se dhuna në familje viteve të fundit ka shënuar rritje, mirëpo ne konsiderojmë se kemi të bëjmë me rritje të vetëdijesimit të qytetarëve për të raportuar rastet e dhunës në familje si dhe rritje të besueshmërisë ndaj Policisë së Kosovës për raportim, u tha në takim”, tha Hoti.

Në njoftimin e Qeverisë është thënë së në takim u theksua se është shumë e rëndësishme që autoritetet përkatëse për mbrojtjen e viktimave të dhunës të ofrojnë shërbime adekuate në mbështetjen dhe mbrojtjen e grave dhe vajzave në rrezik dhune, veçanërisht në rrethana rënduese kur viktimat mund ta kenë edhe më të vështirë të kërkojnë ndihmë.

​Në këtë vizitë kryeministri Kurti ishte bashkë me me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zëvendësministren e Drejtësisë, Nita Shala, njëherit koordinatore nacionale kundër dhunës në familje dhe me udhëheqësen e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës dërguar për KALLXO.com, që nga muaji janar i këtij viti deri në shtator janë shënuar 1,819 raste të dhunës në familje. Nga kjo shifër, 1,437 raste janë viktima gratë, kurse 408 raste janë viktima burrat.