Kurti dhe Zaev diskutojnë për pandeminë dhe dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Unionit Social Demokratik të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, zhvilluan sot bisedë telefonike.

Ata diskutuan për menaxhimin me COVID-19 në të dy vendet. Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, Kurti dhe qeveria e tij u përgëzuan për menaxhimin shembullor me pandeminë.

Zaev e njoftoi Kurtin se Maqedonia e Veriut është ballafaquar me pandeminë me një Qeveri teknike në detyrë, por se shpejt do të përcaktohet data e zgjedhjeve të përgjithshme të cilat priten të mbahen në korrik të këtij viti.

Në rrafshin e bashkëpunimit fqinjësor dhe rajonal, Zaev i ofroi Kurtit gatishmëri për bashkëpunim dhe mbështetje të plotë.

Ai tha se ka respekt të veçantë për Kosovën dhe popullin e saj. Kurti dhe Zaev diskutuan edhe temën e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ata u pajtuan se dialogu është i suksesshëm atëherë kur prodhon një marrëveshje të pranueshme e largpamëse, dhe një marrëveshje të qëndrueshme si për palët e përfshira në të ashtu edhe për rajonin./ 21 Media