Kurti dhe Sveçla bëjnë lansimin e disa shërbimeve të reja elektronike përmes platformës 'e-Kosova'

Kryeministri i vendit Albin Kurti, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë marrë pjesë në lansimin e shërbimeve të reja elektronike në portalin e-Kosova, që përfshijnë certifikatën e lindjes, ekstraktin e lindjes, certifikatën e martesës dhe certifikatën e vdekjes, si dhe shërbimin për vazhdimin e regjistrimit të veturës.

Sipas komunikatës për media të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka thënë se digjitalizimi i shërbimeve krijon lehtësira për qytetarët e veçanërisht për mërgatën.

“Këto shifra tregojnë se portali e-Kosova si dritare qendrore për ofrimin e shërbimeve qeveritare është duke u pranuar mirë nga qytetarët tanë. Ne do të vazhdojmë me digjitalizimin e shërbimeve që ka për synim lehtësimin e jetës së tyre. Shërbimet elektronike janë veçanërisht të rëndësishme për mërgatën tonë, ajo ka nevojë për mundësinë e qasjes në shërbime qeveritare edhe nga largësia”, citohet të ketë thënë Kurti.

Tutje Kurti ka thënë se me transformimin digjital gjithëpërfshirës synojnë avancimin, jo vetëm të administratës publike, por edhe të sistemit arsimor, sektorit të shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushave të tjera të qeverisjes.

“Po hedhim bazat strategjike të digjitalizimit në të gjithë sektorët dhe jemi të përkushtuar të kemi qasje të unifikuar, të bashkërenduar dhe të harmonizuar ndaj digjitalizimit”, ka theksuar Kurti.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sipas komunikatës për media, ka thënë se Qeveria e Kosovës, respektivisht MPB, në kuadër të angazhimeve e objektivave të saj kryesore ka digjitalizimin e shërbimeve të administratës publike, duke synuar shërbime më efikase, më kualitative, të qasshme, e më të lira për qytetarët dhe bizneset.

“Ndër prioritetet e programit qeverisës të Republikës së Kosovës 2021-2025 është edhe funksionalizimi i platformës e-Kosova, përmes së cilës çdo qytetari dhe biznesi t’i ofrohen shërbime nga institucionet publike pa prani fizike”, citohet të ketë thënë Sveçla.

Në plan programin e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti është paraparë digjitalizimi i shërbimeve si dhe përmes platformës E-Kosova në të cilën në mënyrë elektronike qytetarët mund të kryejnë shërbime të ndryshme.