Kurti dhe Osmani në përvjetorin e të zhdukurve bëjnë homazhe në Mejë

Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, kanë bërë sot homazhe tek varrezat në Mejë në nderim të ditës së 27 prillit – përvjetorit të të zhdukurve.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, sot edhe pas 21 viteve përgjegjësit që janë përmendur edhe në Gjykatën e Hagës, janë akoma të lirë dhe jetojnë pa shqetësime në vende të ndryshme të Ballkanit.

“Sot, si rrjedhojë e rrethanave të krijuara nga COVID-19, në pamundësi për të qenë me familjet e atyre që humbën më të dashurit, e të atyre që akoma presin të dinë për fatin e tyre, Kryeministri i vendit zgjodhi të jetë afër kujtimit të atyre që nuk janë më mes nesh”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

“Hapësira të zbrazëta mes varresh, pa pllakë përkujtimore e pa varr, qëndronin mes varreve aktuale, në pritje të 13 të tjerëve të cilët akoma sot mungojnë nga kjo masakër e kobshme”

“Bëjmë thirrje që me të pasur mundësinë e gjykimit në mungesë, këta persona do të ndiqen penalisht dhe do të dënohen në mënyrë meritore për krimet që kanë kryer. Sepse familjarët meritojnë drejtësi, kurse kriminelët gjykim”, vijon tutje komunikata.

Meja është vendi i masakrës më të madhe të policisë serbe dhe ushtrisë jugosllave gjatë luftës së fundit në Kosovë.

27 Prilli shënohet Dita e të Zhdukurve në Kosovë.

376 shqiptarë të moshave të ndryshme u vranë, masakruan dhe kidnapuan brenda ditës.

Masakra e Mejës: Provat tregojnë se roli i përfshirjes së oficerëve serbë në masakër u injorua