Kurti dhe Haxhiu takohen me ambasadorin e ri italian

Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, së bashku me deputeten Albulena Haxhiu ka pritur sot në një takim njoftues ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.

Sipas një komunikate për media, me ambasadorin Orlando ata kanë bashkëbiseduar për situatën aktuale politike në vend, me ç’ rast e njoftuam edhe për përpjekjet e LVV-së për formimin e institucioneve të reja të vendit.

“Me bindjen që qeveria e re do të formohet së shpejti dhe duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në drejtim të forcimit të institucioneve vendore, z. Orlando i uruam shërbim të mbarë gjatë punës në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.

LVV dhe LDK edhe pas më shumë se 100 ditë prej kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme, nuk kanë arritur një ujdi për bashkëqeverisje.

LDK ka kërkuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës deri në marrjen e postit të presidentit ndërsa LVV i ka ofruar 6 ministri dhe postin e presidentit.