Kurti dhe dy ministrat e tij në detyrë vizitojnë Komunën e Lipjanit

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti sot ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Albin Kurtin, ministren në detyrë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi, dhe ministrin në detyrë të Infrastrukturës dhe Ambientit Lumir Abdixhiku.

Qeveritarët vizituan komunën e Lipjanit për të diskutuar lidhur me situatën aktuale të krijuar nga pandemia COVID-19.

Komuna e Lipjanit njofton se Ahmeti së bashku me bashkëpuntor dhe anëtarët e Shtabit Emergjent Lokal, e njoftuan kryeministrin dhe ministrat për gjendjen rreth Covid-19 në komunën e Lipjanit, respektimin e masave të caktuara nga qeveria, ministritë dhe IKShP-ja, si dhe angazhimet e Komunës për menaxhim të kësaj situate.

“Pas takimit kryetari Imri Ahmeti duke falënderuar kryeministrin dhe ministrat për vizitën dhe bashkëpunim me Komunën, shprehu rëndësinë e këtij takimi në aspekt të koordinimit me nivelin qendror dhe kërkoi edhe njëherë nga qytetarët për të vazhduar me respektim të masave që i shërbejnë parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Kurti bëri të ditur se në vazhdën e takimeve me kryetarët e komunave të Kosovës, sot vizitoji Komunën e Lipjanit, për të parë nga afër situatën në këtë komunën.

“Kryeministri Kurti gjithashtu e përgëzoi kryetarin Imri Ahmeti për punën e bërë dhe bëri apel tek të gjithë për të shtuar disiplinën në ditët dhe javët në vijim të këtij muaji vendimtar, për ta tejkaluar këtë krizë shëndetësore me sa më pak pasoja dhe sa më shpejt”, vijon njoftimi.

Kurti këto ditë ka vizituar Klinën, Pejën Gjakovën, Prizrenin e Malishevën.

Deri më tani në Kosovë, me COVID-19 janë infekturar 227 persona, kanë vdekur 7 dhe janë shëruar 38 pacientë, kurse zona më e prekur është Malisheva.