Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, Foto: Qeveria e Kosoves

Kurti dhe Abazoviq diskutojnë për projektet infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës.

Në këtë takim dy kryeminstrat kanë diskutuar për projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, rruga Deçan-Plavë dhe ajo Pejë-Rozhajë.

“U diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet. U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim u bisedua edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet qeverive si dhe organizimin e një mbledhje të përbashkët të dy qeverive brenda këtij viti.