Kurti: Dështimi i Serbisë në GjND nuk u shfrytëzua nga Kosova

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka kujtuar siç ka thënë, 10 vjetorin e mendimit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), i cili konstatoi që Serbia nuk kishte të drejtë në pretendimin e saj se shpallja e pavarësisë së Kosovës kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“Rezultati i qëndrimeve të gjyqtarëve të GjND-së ishte 10 me 4 në favor tonin. (Mbaj mend se nga deponimet e shteteve mike, mbresa të posaçme më pat lënë ajo e Prof. Martti Koskenniemi që përfaqsonte Finlandën.)”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Megjithkëtë, ish-kryeministri ka shtuar se dështimi i Serbisë në GjND nuk u shfrytëzua nga Kosova.

Sipas tij, është për të ardhur keq që në këtë dekadë ky mendim i GjND-së më së shumti u përmend te fusnota që iu mbivendos emërtimit të Kosovës.

“Në vend se ta forcojë subjektivitetin tonë ndërkombëtar dhe shtetëndërtimin e brendshëm, qeveria e atëhershme pat hyrë në dialog teknik e pastaj politik me Serbinë, gjithnjë për çështje të brendshme të Kosovës, duke e mbuluar rëndësinë e këtij vendimi dhe duke lejuar që të krijohet përshtypja se Kosova po rinegocion statusin e saj”, thuhet në publikimin e Kurtit.

Kurti ka shtuar se “GjND na ka pajisur me një armë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Kurrë s’është vonë për ta mirëpërdorur”.

10 vjet u bënë sot nga mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) i cili konstatoi që Serbia nuk…

Publiée par Albin Kurti sur Mercredi 22 juillet 2020

10 vite më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk është shkelur asnjë nen i të Drejtës Ndërkombëtare.

Në përvjetorin e kësaj dite, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se kjo ditë ka vulosur përfundimisht subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të ri të Kosovës.