Kurti: Dëshmorët janë dëshmuar, ne duhet të dëshmohemi tek ata

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe te varri i heroit të kombit, Ilir Konushevci dhe dëshmorit doktor Hazir Mala, në 23-vjetorin e rënies së tyre.

Gjatë nderimeve për ta, siç njofton komunikata,  kryeministri Kurti tha se rënia e Ilirit dhe Dr. Hazirit e ngriti vetëdijen se duhet organizuar sa më parë për çlirimin e vendit meqenëse duhet larguar okupatori serb një ditë e më parë.

“Dëshmorët janë dëshmuar. Ne duhet të dëshmohemi tek ata, dhe, në këtë mënyrë, edhe të ecim drejt në rrugën që e kanë shtruar ata, por njëkohësisht edhe të jemi në nivel të përgjegjësive që kemi. Heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kanë kryer pjesën më të madhe të punës. Neve, ndonëse e rëndësishme, na ka ngelur një pjesë më e vogël e punës, e të cilën duhet ta kryejmë me nder, me progresin në mendje e me dëshmorët në zemër”, citohet të ketë thënë Kurti.

Në këto homazhe kryeministri Kurti shoqërohej nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.