Albin Kurti - Foto: Facebook

Kurti dëshiron koalicion parazgjedhor me LDK-në

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se një koalicion paraprak i opozitës së deritashme do të mund t’i fitonte deri në 70 deputetë. Kështu, Kurti, ndonëse nuk e ka përmendur LDK-në, ai ka lënë të kuptohet se parapëlqen një koalicion parazgjedhor me partinë e Isa Mustafës.

“Po, mund të fitojmë pas zgjedhjeve atëherë kur në natën e raportimeve të komisionerëve nga vendvotimet, ankthi na bëhet festë. Ama mund të fitojmë edhe para zgjedhjeve këtë herë. Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Asisoj do t’i kemi së paku 70 deputetë”, ka shkruar Albin Kurti në “Facebook”.

Sipas shefit të VV-së, një partner i pas zgjedhjeve do të ishte më shumë se i mjaftueshëm për shumicën absolute të 2/3 të deputetëve në Kuvend.

Ky është postimi i plotë i tij në “Facebook”:

Koha që u ka mbetur është vonesa që e shkaktojnë. Dikur ajo matej me muaj, tash me javë, e së shpejti veçse me ditë të numërueshme. Ardhmëria kurrë nuk ka qenë më afër.

Meqë 22 gushti u la për shpërndarjen e Kuvendit, i bie qe zgjedhjet e reja të jenë me 22 apo 29 shtator, ose 6 tetor. Pra, do të kemi pranverë në vjeshtë. Fitorja jonë në këto zgjedhje e fut shpresën në zemrat e qytetarëve për ta nxjerrë shtetin nga kriza e dështimi.

Duhet të fitojmë e do të fitojmë. Mirëpo, kësaj radhe është e mundur që të fitojmë edhe para zgjedhjeve!

Po, mund të fitojmë pas zgjedhjeve atëherë kur në natën e raportimeve të komisionerëve nga vendvotimet, ankthi na bëhet festë. Ama mund të fitojmë edhe para zgjedhjeve këtë herë. Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Asisoj do t’i kemi së paku 70 deputetë. Një partner i vogël pas zgjedhjeve do të ishte më shumë se i mjaftueshëm për shumicën absolute të 2/3 dhe gjithsesi i panevojshëm për shumicën e thjeshtë qeveritare.

Pra, mund të fitojmë edhe pa betejë. Mbase më mirë ashtu, sepse betejat e vërteta e të mëdha do t’i kemi pikërisht pas fitores. Sepse menjëherë duhet të ndryshojnë lajmet e mbrëmjes me qeverisjen tonë të re. Jo më skandale qeveritare por luftim i krimit dhe korrupsionit. Jo më emigrim porsi ekzod por punësim pa diskriminim. E kështu me radhë…