Albin Kurti: Deputetit nga grupi ynë parlamentar i kanë ofruar një ministri për një votë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se një deputeti nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje i kanë ofruar për një votë një ministri, nga diskutimet e fundit për ta formuar qeverinë e re nga ana e LDK-së me partitë e tjera.

Kurti ka shtuar se partitë e tjera politike nuk po mund t’i bëjnë numrat për formimin e Qeverisë së re.

“Aq flagrante janë shkeljet e tyre, saqë nuk ka kuptim Gjykata Kushtetuese t’ju japë të drejtë. Këta janë në një hall të madh, nuk po arrijnë t’i bëjnë as numrat tash për tash. Për shembull, deputetit nga grupi ynë parlamentar i kanë ofruar për një votë një ministri. Sa deputetë, aq ministra. Kjo është më shumë shprehje e një lloj pafuqie, pa mundësie”, tha Kurti në një intervistë për Euronews Albania.

Të hënën, deputeti i partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, por që në këtë legjislaturë është pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ka marrë oferta për ta përkrahur qeverinë e re.

Në një reagim në Facebook, Krasniqi tha se nuk do ta përkrahë një qeveri të re e cila është pa fituesin zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Tash e disa ditë, mua dhe partisë sime po i vijnë oferta të ndryshme nga ata që po e duan një qeveri të re. Ajo që nuk do të ndodh është vota ime për një qeveri pa fituesin e zgjedhjeve. Prandaj le të mos e humbin kohën e tyre. Ajo që po ndodh është pazari i nisur me deputetët e që duhet t’i alarmojë qytetarët, të cilët i siguroj që vota ime nuk do të jetë pjesë e asnjë pazari!”, ka shkruar Krasniqi.

Haxhiu i kërkon Thaçit ta bëjë publike letrën për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër