Kryeministri Albin Kurti. Foto: ZKM.

Kurti dënon sulmin e Rusisë kundër një shkolle me civilë ukrainas

Kryeministri Albin Kurti ka dënuar sulmin e forcave ruse ndaj civilëve në Ukrainë sot në një shkollë në Bilohorivka, në Luhansk.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka shkruar se populli i Kosovës solidarizohet më popullin e Ukrainës.

“I indinjuar nga sulmi brutal i Rusisë ndaj civilëve të pafajshëm në një shkollë në fshatin Bilohorivka, në Luhansk. Duke i mbijetuar gjenocidit të fundit të shekullit të 20-të dhe menjëherë pas arritjes së çlirimit, populli i Kosovës qëndron në solidaritet me popullin e Ukrainës”, ka shkruar Kurti.

Dhjetëra persona dyshohet se kanë vdekur pasi një bombë goditi një shkollë në lindje të Ukrainës, ku forcat qeveritare po luftojnë me trupat ruse dhe separatistët e mbështetur nga Rusia.

Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Gaidai, konfirmoi dy vdekje, duke thënë se 60 persona dyshohet se kanë vdekur nën rrënojat e shkollës në Bilohorivka.

Rreth 90 njerëz ishin strehuar në ndërtesë dhe 30 u shpëtuan, shtatë prej tyre u plagosën, shtoi ai.

Ukrainë: Bomba godet shkollën, dyshohet për dhjetëra të vdekur