Kryeministri Albin Kurti duke vizituar vendet e vërshuara | Foto: ZKM

Kurti: Dëmet nga vërshimet janë të mëdha, duhet të merremi edhe me shkaktarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet javën e fundit në disa rajone të vendit.

Kurti ka thënë se dëmet nga këto vërshime janë të mëdha, dhe sipas tij rreziku nga vërshimet nuk ka kaluar i tëri.

Ai ka thënë se Qeveria i ka dalë në ndihmë qytetarëve dhe të gjitha institucionet përkatëse kanë qenë në dispozicion.

“Si Qeveri që nga momenti i parë kemi qenë në ndihmë të qytetarëve, si përmes Agjencisë për Menaxhim Emergjent, Policisë e FSK-së, kemi intervenuar për mbështetje të menjëhershme. Njësitet profesionale të pompimit kanë intervenuar në zonat ku ka pasur vërshime. Sipas kërkesave të komunave, janë siguruar shtretër, batanije, barna, veshmbathje dhe ushqim”- ka thënë Kurti.

I pari i Qeverisë, tutje ka thënë se përveç se me pasojën e dëmeve nga vërshimet, institucionet duhet të merren edhe me shkaktarët e vërshimeve.

Dëmtimi i shtretërve të lumenjve, hedhja e mbeturinave e mungesa e pyllëzimit, sipas Kurtit, janë disa nga shkaktarët e vërshimeve në Kosovë.

“Përveç se me pasojën duhet të merremi edhe me shkaktarët e vërshimeve e shkallës së vërshimeve. Dëmtimi i shtretërve të lumenjve, eksploatimi, hedhja e mbeturinave, prerja ilegale e pyjeve, sistemet jo adekuate të ujësjellësit dhe kanalizimeve, pa dyshim që i kanë lehtësuar, shpejtuar dhe shpeshtuar përmbytjet në vendbanimet tona”- ka thënë ai gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar.

Kurti tutje ka premtuar përkrahje për qytetarët të cilët kanë pësuar dëme nga vërshimet që ndodhen javën e kaluar.

“Komunave, familjeve, bizneseve të prekura do të ju qëndrojmë pranë përherë, ndihma nga qeveria nuk do të mungoj për asnjë moment, Skenderaj, Mitrovica, Istogu, Klina e Podujeva bashkë do të ngritën”- ka thënë ai.

Vërshimet që nisën të enjten e javës së kaluar kanë lënë pasoja të shumta në qytete të ndryshme të Kosovës.

Shtepi, vetura, rrugë të përmbytura janë parë në Mitrovicë, Skenderaj, Klinë, Istog e qytete tjera në Kosovë.

Pas dëmeve, disa komuna kanë themeluar fond për fondacione në mënyrë që tu dalin në ndihmë qytetarëve që pësuan nga vërshimet.