Kurti deklarohet pas takimit me Josep Borrell

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është takuar sot me  përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Kurti ka shkruar se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në në kuadër të procesit të integrimit si dhe për dialogun e zhvilliuar nën drejtimin e BE-së.

“E përsërita qëndrimin tonë për shqyrtimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, për nga zbatimi e ndikimi i tyre, dhe nevojën e një diskutimi me z.Borrell për fazën e re të dialogut me Serbinë”, ka shkruar Kurti.

Po ashtu, kreu i Vetëvendosjes, ka thënë se duhet të rishikohen dhe të vlerësoohen në cilësinë e marrëveshjeve të mëhershme, para se të negociohet dhe të nënshkruhen marrëveshje të reja.

Kurti ka thënë se dialogu duhet të jetë për çështje të pa adresuara dhe të pa zgjidhura, dhe duhet të jetë i përgatitur dhe parimor.

“Ne besojmë në fuqinë e Bashkimit Evropian për t’u bashkuar rreth qëllimeve të përbashkëta për të mirën e përbashkët. Zgjidhja e çështjeve të mbetura mes Kosovës e Serbisë është në interes të gjithë rajonit”, ka shkruar kreu i VV-së.

Kurti gjithashtu ka njoftuar Borrellin për përpjekjet për krijimin e qeverisë së re, e cila sipas Kurtit, do të marrë drejtim javën që vjen.

“Drejtësia e shtetit me sundim të ligjit dhe zhvillimi ekonomik me punësim sidomos për të rinjtë dhe gratë do të jenë prioritet yni”, thuhet në fund të postimit të Kurtit në ‘Facebook’.