Kurti deklarohet pas takimit me Emisarin e Trumpit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se në takimin e sotëm me Ambasadorin e ShBA-së në Berlin dhe të dërguarin special të presidentit Trump, Richard Grenell, kane biseduar për mundësinë e zhvillimit ekonomik.

“Unë mirëprita Ambasadorin Richard Grenell në zyrat e Vetëvendosje sot, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca dhe deputeten Fitore Pacolli. Ne diskutuam mbi nevojën urgjente për t’u përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e mundësive për punësim”, ka shkruar Albin Kurti në rrjetin social Twitter.

Sot gjatë ditës, Ambasadori Grenell vizitoi edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Nga të dyja takimet, ai tha se nuk është në Kosovë për të ndikuar në krijimin e institucioneve, por ka biseduar me liderët politikë për zhvillim ekonomik.

Ndërkohë, që nga përfundimi i zgjedhave, LVV dhe LDK nuk po arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Grenell: Formimi i qeverisë nuk është çështje e imja, por zhvillimi ekonomik