Kurti: Decentralizimi etnik, ‘Zajednica’ e ‘shkëmbimi territorial’, emra të ndryshëm të përpjekjes së njëjtë të Beogradit

Albin Kurti është kthyer në retrospektivë derisa ka komentuar raportet e Kosovës dhe Serbisë ndër vite.

Ish-kryeministri kosovar dhe lideri i partisë më të madhe në vend ka thënë se Kosova vetëm po shtyhet prapa ndërsa ka vlerësuar se decentralizimi, “Zajednica” dhe “shkëmbimi territorial” janë emra të ndryshëm me një qëllim të përbashkët.

“Kur duket që një situatë nuk po ndryshon për një kohë të gjatë, ka mundësi që bëhet fjalë për një kthim prapa që tashmë ka ndodhur. Teksa lexoja librin “Standardet dhe Statusi” të ish PSSP-së, Joachim Ruecker, më përkujtohet se dikur decentralizimi etnik, ndërkaq sot ‘Zajednica’ dhe ‘shkëmbimi territorial’, janë emra të ndryshëm të përpjekjes së njëjtë të Beogradit për ndarjen e Kosovës. Ja një paragraf nga faqja 61 e këtij libri”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka cituar edhe librin e ish-shefit të UNMIK-ut, Joachim Ruecker.

“Në lidhje me çështjen e decentralizimit, e cila ishte shumë e diskutueshme, plani kërkoi të pajtojë kërkesat e kundërta. Fillimisht, Koshtunica kërkoi ndarjen e plotë të Kosovës, e cila parashikonte copëtimin e saj territorial përgjatë vijave etnike. Kjo kërkesë u rrëzua gjatë negociatave dhe në vend të kësaj Beogradi propozoi krijimin e 12 komunave me shumicë serbe në Kosovë, pjesërisht të lidhura gjeografikisht, me një nivel të lartë të autonomisë, lidhje të forta ndër-komunale dhe lidhje të drejtpërdrejta institucionale me Beogradin”, ka shkruar Kurti.

“Projektet e Serbisë janë të vjetra. Me koncesione të reja, Kosova po shtyhet prapa”, thuhet në fund të postimit të Albin Kurtit.

Kur duket që një situatë nuk po ndryshon për një kohë të gjatë, ka mundësi që bëhet fjalë për një kthim prapa që tashmë…

Publiée par Albin Kurti sur Lundi 14 septembre 2020