Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Çështja nuk është Rakiqi, shkarkimi i tij do ta bënte çështje

Shefi i Qeverisë kosovare, Albin Kurti, ka thënë se operacioni i djeshëm i forcave të rendit në katër komuna të Kosovës, i cili kishte synim luftën kundër kontrabandës, “ka goditur nervin e çështjes e ky është luftimi i krimit të organizuar, i korrupsionit dhe i kontrabandës”.

Në një paraqitje për media nga Prizreni, Kurti tha se shkarkimi i ministrit të Qeverisë së tij, Goran Rakiq, do ta bënte çështje atë. Ndërkohë, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka dështuar të organizojë serbët kundër veprimeve të ligjshme të ekzekutivit kosovar.

“Përvec që po kemi sukses me hetimet tona intensive, me policinë tonë profesionale, në të njëjtën kohë po ndodh një demaskim gjigant i Serbisë sa i përket përpjekjeve të saj destruktive me strukturat ilegale në Kosovë. Me ketë rast, qartazi ne jemi në rrugën e drejtë dhe pikërisht që ne jemi në rrugën e drejtë, Serbia e Vuçiqit nuk po arrin t’i mobilizojë serbët kundër veprimeve të ligjshme e të drejta të Qeverisë, pra ne kemi goditur nervin e çështjes. Çështja nuk është Rakiqi, shkarkimi i tij do ta bënte çështje”, tha ai të enjten para gazetarëve.

Ai ka thënë se operacioni i djeshëm ishte i drejtë ndërsa ka thënë se deklarimet e BE-së rreth aksionit mund të komentohen në forma të ndryshme.

“Ne jemi në të drejtën tonë, Policia e Republikës së Kosovës vepron në mënyrë korrekte e profesionale dhe këtë e ka dëshmuar secilën herë do ta dëshmoj edhe në të ardhmen. Ku ka Polici të Kosovës aty ka rend, ka ligj dhe ka edhe qetësi. Mos harroni që mbi 13 mijë e 400 targa të përkohshme iu ndanë veturave që hyjnë nga Serbia gjatë 13 ditëve pa asnjë incident të vetëm. Tash, zyrtarë të ndryshëm japin deklarata të ndryshme të cilat në mënyrë të ndryshme i komentojnë analistët e ndryshëm nëpër debate”, deklaroi Albin Kurti.

Ky reagim i Kurtit vjen pasi Rakiq u deklarua për mediat serbe mbi operacionin e forcave të rendit anti-kontrabandë.

Para takimit me presidentin serb dhe ministra e oficerë ushtarakë, Rakiq në një prononcim për Pink ka thënë se aksioni në veri ishte ‘Nata e kristaltë’ dhe “nuk mund të durojmë më”, andaj edhe do të kërkojë që Vuçiqi të jetë i sinqertë me ta.

“Ne nuk mund dhe nuk do ta tolerojmë më këtë. Dhe kjo ishte ‘Nata e kristaltë’ për ne, ky është takimi më i rëndësishëm për ne deri më tani. Kjo ishte pika e fundit”, tha Rakiq para takimit me Vuçiqin në Rashkë.

Kjo deklaratë e Rakiqit u komentua edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se krahasimi i aksionit të djeshëm i Policisë së Kosovës në veri kundër kontrabandës së mallrave me “Natën e Kristaltë” është i papranueshëm.

“President, gjeneral, ministri, nga ju sot presim përgjigje konkrete, a mundeni apo nuk mundeni të na ndihmoni, a dëshironi apo nuk dëshironi të na ndihmoni. Kjo na intereson”, ishte vetëm një pjesë e fjalimit të kryetarit të Listës Serbe dhe ministrit në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, në takimin i cili u mbajt dje në Rashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në disa zona të vendit në një aksion kundër kontrabandës.

Ministri Rakiq në takim po i shpjegonte situatën presidentit Vuçiq ndërsa kërkoi përgjigje nga gjeneralët e ushtrisë serbe të cilët ishin pjesëmarrës nëse mund ta ndihmojë popullin serb në veri të Kosovës.

“Pra nëse edhe një herë diçka e tillë mund të ndodhë, të jeni të bindur dhe besoni se ne do të mbrohemi me gjithçka që kemi, ama me gjithçka, deri në fund. Po ju përsëris, nëse eventualisht ndodh edhe një herë diçka e tillë, edhe unë edhe Lista Serbe do të shkojmë deri në fund”, kishte thënë Rakiq në takim.

Krahasimet e ministrit Rakiq dhe thirrja për ndihmë nga Serbia, njohësit e ligjit tregojnë a është vepër penale

www.kallxo.com