Kurti: Çështja e të pagjeturve nuk mund të presë, me Serbinë s'mund të kemi tema të reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media pas vizitës në Institutin e Shëndetësisë Publike ka dhënë qëndrimin në lidhje me dialogun Kosovë- Serbi.

Kurti ka thënë se çështja e cila s’mund të presë është ajo për të pagjeturit. Sipas tij, nuk mund të ketë tema të tjera të hapura me Serbinë.

Kryeministri ka shtuar se pas refuzimit të propozimeve të dhëna nga ana e Kosovës, tema të reja mund të hapen vetëm me Brukselin dhe jo me Serbinë.

“Unë jam i informuar për përgatitjet që i ka bërë zëvendëskryeministri im, Besnik Bislimi, përgjegjësitë e tij si zëvendëskryeministër i parë, përveç se integrimi evropian dhe zhvillimi edhe dialogu. Këto janë takime përgatitore për një kapitull të ri. Veçse ekziston një çështje që nuk mund të presë dhe kjo është çështja e të pagjeturve të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Prandaj edhe bashkë më Bislimin ka udhëtuar edhe Andin Hoti. Nuk mund të presim për marrëveshje gjithpërfshirëse, me njohje reciproke brenda me Serbinë kur janë në pyetje familjarët e të pagjeturve që nuk e dinë se ku janë ata edhe nëse e dinë se kanë vdekur ata nuk kanë varret e tyre. Për çështje të tjera ne kemi dhënë propozimet tona të cilat fatkeqësisht nuk janë pranuar. Mund të hapen tema të tjera me Brukselin, por jo me Serbinë”, ka thënë Kurti.