Foto: ZKM

Kurti: Çdo shqiptar që është në diasporë është ambasador i yni

Në kuadër të aktivitetit “Karvani i Diasporës”, i cili është zhvilluar sot në qytetin e Podujevës, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vlerësuar lartë rolin e diasporës për Kosovën.

Si bëhet e ditur në komunikatën e zyrës së kryeministrit, Kurti i ka falënderuar mërgimtarët që asnjëherë nuk po e harrojnë Kosovën, nuk po e harrojnë Podujevën, dhe po vijnë këtu të çmallen me familjen e tyre, me farefisin e gjerë, por edhe me miq e dashamirë që i kanë në vendlindje.

“Republika e Kosovës i ka 1.85 milion banorë, po i ka rreth 2.5 milionë qytetarë. Pra mund të thuhet që gati çdo i treti që është qytetar nuk është edhe banor. Ne e kemi diasporën, mërgatën shumë të madhe dhe ajo ka pasur një rol të madh historik në politikë, në ekonomi dhe në kulturë”, citohet të ketë thënë Kurti.

Më tej, ai tha se duke iu falënderuar mërgatës sonë, ne e kemi financuar luftën çlirimtare dhe e kemi sot lirinë, por gjithashtu duke iu falënderuar mërgatës sonë ne e kemi edhe paqen sociale për shkak të dërgesave, remitancave që i dërgon ajo.

“Sipas Bankës Qendrore të Kosovës në 5 vjetët e fundit më shumë se 4 miliardë e gjysmë euro i kanë sjellë bashkatdhetarët tanë si dërgesa në vendlindje. Ndërkaq, investimet janë më shumë se 1 miliard e gjysmë gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit”, thuhet në komunikatë.

‘Karvani i diasporës’ është një aktivitet i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporë (MPJD) i cili ka filluar që nga java e kaluar dhe do të mbahet deri më 7 gusht dhe bazohet kryesisht në platformën “shijokosovën.com”, ku mërgimtarët do të shohin programin që ofrohet nga tri ministri të ndryshme, MPJD, MKRS dhe MASHTI.

MPJD-ja prezanton dy programe për diasporën