Kurti: Brukseli nuk e përmend dakordimin e 18 gushtit për të pagjeturit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke folur për zhvillimet që rrodhën nga takimi i fundit në Bruksel, iu kthye një takimi tjetër, të 18 gushtit, duke përmendur dakordimin e palëve për marrëveshjen e personave të zhdukur me dhunë, por që nuk ishe nënshkruar nga ana e Serbisë.
Sipas Kurtit, kjo çështje nuk u përmend nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Më datën 18 gusht ka pasur edhe një zhvillim tjetër interesant që nuk përmendet sot. Jemi dakorduar për tekstin për marrëveshjen për të pa gjeturit, për të zhdukurit me dhunë, u dakorduam. Dy faqe është teksti, mungojnë veç nënshkrimet, i imi jo. Unë isha i gatshëm të nënshkruaj, por Serbia nuk ishte” – ka deklaruar Kurti.
“Merreni me mend në Bruksel nuk përmendet që ka marrëveshje të dakorduar, e kemi dakorduar tekstin, e kemi negociuar dhe janë pajtuar palët për tekstin, kur vjen puna për nënshkrim, unë jam i gatshëm e Serbia nuk është. Asnjë dënim, asnjë gjykim, asnjë kritik ndaj Beogradit” – shtoi ai.
Kurti tha se është i përcaktuar në rrugën evropiane dhe euroatlantike duke shtuar se nuk hidhërohet e as nuk mban inate.
“Jemi të përcaktuar për rrugën tonë evropiane e euroatlantike, kurrë nuk hidhërohemi, kurrë nuk mbajmë inate, veç të kryejmë punë. Por për me kry punë duhet seriozisht me marrë temën. Tema është propozimi dhe marrëveshja finale, nuk është koha për hapa të vegjël por për zgjidhje finale për të cilën angazhohemi maksimalisht” – tha Kurti.
Më tej, kryeministri ka thënë se afatin e marsit 2023 si datë për marrëveshje finale, e ka shkruar përfaqësuesi i Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
“Mu ashtu më kanë ftuar, me atë ftesë kam ble biletën e avionit. 6 muaj në negociatat për targat nuk kam shkuar unë, mu me kanë thirrë me bë marrëveshje, është data e tyre në ftesën e tyre në formë të një draft-deklarate që do të nënshkruhej në fund” – ka thënë ai.
Kurti ka folur edhe për raportet e tij me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell pas takimit trepalësh të mbajtur të hënën në Bruksel.
“Unë në takime me të kaloj mire, por ata e vlerësojnë. Nuk është ky takimi i parë të mos kemi pajtim, e reja është që ai nuk është që s’po pajtohet me mua, por ai s’po pajtohet me BE-në. Unë nuk jam për t’ia gjykuar as përformancën”-ka thënë ai.
Takimi i së hënës mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel rezultoi pa marrëveshje për çështjen e targave.