Kurti: Brenda muajit, do të furnizohemi edhe më 142,530 vaksina antiCOVID

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë prezantimit të Programit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, është lavdëruar për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

Ai ka thënë se masat e vendosura nga qeveria e tij, kanë ulur numrin e rasteve të reja në 87.4 %, e për të cilin rezultat thotë se meritore është qeverisja e mirë.

Kurti në seancën e sotme në Kuvend, tha se deri në fund të këtij muaji, Kosova do të furnizohet edhe më 142, 530 vaksina të reja.

“Kemi punuar që marrim sa më shumë vaksina dhe të përgatisim administrimin e tyre. Kur erdhëm ne nuk gjetëm asnjë vaksinë e asnjë kontratë për sigurimin e tyre. Në këto 55 ditë kemi arritur të sigurojmë 74 mijë e 100 vaksina e derisa në fund të këtij muaji do të kemi edhe 142 mijë e 530 vaksina të reja që gjithsej arrijnë në 216 mijë 630 vaksina. Me këto dhe me pritjet që kemi për muajin qershor, jemi në rrugë të mirë për të garantuar imunizimin e 60% të popullsisë në grup moshën e atyre që duhet vaksinuar deri në fundin e vitit 2021”, u shpreh Kurti.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit në fund të muajit mars, me 24,000 dozat e para të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që ende nuk ka blerë asnjë vaksinë kundër COVID-19. Çdo dozë e siguruar deri më tash është donacion ose nga BE-ja, ose nga OBSH-ja.