Kurti bisedon me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, i flet për situatën në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media ku është theksuar se Kurti e ka informuar Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe për progresin e Kosovës në dy vitet e fundit në ekonomi dhe punën për krijimin e një klime të favorshme për investime. Dhe në lidhje me situatën në tri komunat në veri të vendit.

“Kryeministri e njoftoi për procesin zgjedhor që solli deri tek zgjedhja e katër kryetarëve të ri, bojkotin e zgjedhjeve nga serbët e Kosovës me kërkesë dhe presion të Serbisë dhe pranimin e këtij procesi e rezultati zgjedhor nga komuniteti ndërkombëtar”- thuhet në komunikatë.

Sipas këtij njoftimi, Kurti tha se përshkallëzimi erdhi si rezultat i pengimit me forcë të hyrjes në vendet e tyre të punës të kryetarëve të rinj dhe dhuna nga grupe fashiste që janë në listën e pagave të Serbisë dhe të kompanive private të personave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

“Ai shtoi se hapi i parë për de-përshkallëzim është përfundimi i menjëhershëm i dhunës ndaj institucioneve të sigurisë, arrestimi i atyre që shkaktuan dhunë dhe zbatimi i Marrëveshjes Bazike deri në zgjedhje të reja”- thuhet në komunikatë.

Tutje, është bërë e ditur se Ministri Zayed Al Nahyan shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e tij për pritjen e pranuar në Prishtinë në vizitën e tij në fillim të muajit prill dhe tha se po punon në avancimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Që nga 26 maji serbët lokalë në komunat veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit po protestojnë për t’iu penguar kryetarëve të rinj hyrjen në objektet e komunave.

Të hënën e 29 majit, situata kishte eskaluar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me disa pjesëtarë të KFOR-it. Si rezultat i saj, mbetën të lënduar 30 paqeruajtës.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkon nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa. Mirëpo kryeministri Albin Kurti po insiston që kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.

Nën alarm: Si nisën tensionet në veri?