Kurti bisedon me kryeministrin slloven Janez Jansa

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansa me të cilin biseduan për menaxhimin e pandemisë dhe masat për rimëkëmbjen ekonomike.

Nga kjo bisedë siç njofton Zyra e Kryeministrit, Sllovenia do t’i hapë kufijtë me kujdes pasi për momentin nuk ka raste të reja të infektimeve.

Kryeministri slloven përgëzoi Kurtin për “punën e mirë dhe uroi që Kosova të dalë sa më mirë nga situata e krijuar”.

Më tej, thuhet se u bisedua edhe për dialogun me Serbinë.

“Kryeministri Janša theksoi se qëndrimet e Sllovenisë janë të qarta. Janša theksoi se nga viti i ardhshëm Sllovenia do ta ketë kryesinë e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe shteti i tij do të përqendrohet edhe më shumë në Ballkanin Perëndimor, duke nxitur bashkëpunimin rajonal si dhe integrimin e tij në BE”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.