Kurti bisedon me Gjukanoviqin, flasin për rihapjen pas pandemisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti e njoftoi presidentin malazez për luftën kundër pandemisë, duke theksuar rënien e infektimeve të reja, numrin e vogël të viktimave dhe për dy pako të Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, presidenti Gjukanoviq e njoftoi atë se Mali i Zi nuk ka asnjë të infektuar më me COVID-19 dhe zyrtarisht e ka përfunduar pandeminë.

“E gjithë puna e Qeverisë është e koncentruar në rihapjen e hotelierisë dhe funksionalizimin e turizmit, për t’i sanuar sa më shpejtë vështirësitë e krijuara ekonomike”, citohet të ketë thënë ai.

Gjithashtu thuhet se temë e veçantë e bisedës ishte edhe dialogu me Serbinë.

Me këtë rast kryeministri në detyrë Kurti tha “se është për një dialog të përgatitur mirë e me parime dhe jo për një zgjidhje të shpejtë, nën udhëheqjen e BE-së dhe ShBA-ve, të cilat nuk mund të zëvendësohen apo ta përjashtojnë njëra tjetrën”.

“Presidenti Gjukanoviq theksoi se procesi i dialogut me Serbinë është një nga faktorët kyç për stabilitetin e rajonit dhe integrimin e tij në BE. Ai u pajtua se nuk ka zëvendësim për BE-në dhe ShBA-të në rajon dhe e siguroi kryeministrin në detyrë Kurti se Mali i Zi do të jetë gjithmonë fqinj i sinqertë dhe do të bashkëpunojë ngushtë me shtetin e Kosovës”, vijon njoftimi i Zyrës së Kryeministrit.