Foto: Albin Kurti, Manuel Sarrazin

Kurti bisedon me emisarin gjerman Sarrazin, thotë se Kosova është konstruktive në dialog

Në prag të takimit në Ohër, kryeministri i Kosovës ka biseduar në telefon me të dërguarin special të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Përmes një postimi në Twitter, kryeministri Kurti ka falënderuar emisarin gjerman për mbështetjen për dialogun.

“Ne vazhdojmë të jemi konstruktiv, kreativ dhe të përkushtuar ndaj dialogut të hapur dhe thelbësor drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. E falënderova për rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme”- ka shkruar Kurti në Twitter.

Kryeministri Albin Kurti, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të takohen këtë të shtunë në Ohër të Maqedonisë së Veriut,  nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Koha për takimin trilateral nuk është bërë e ditur.

Sot përmes një shkrimi, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se është koha që Kosova edhe Serbia të tregojnë guxim dhe përgjegjësi, duke pranuar aneksin për zbatimin  planit e BE-së për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi të njohur si plani franko-gjerman.

Takimi i Ohrit ishte paralajmëruar më datën 27 shkurt, ku u zhvillua një takim me dakordim për planin franko-gjerman, mirëpo pa marrëveshje të nënshkruar.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti i shpreh se ishte i gatshëm të nënshkruante planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi i njohur si plani franko-gjerman.

Në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.

Po atë natë u bë publike edhe përmbajtja 11 pikëshe e planit franko-gjerman i cili ishte përmendur në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Borrell: Është koha që Kosova dhe Serbia të tregojnë guxim dhe përgjegjësi

Shënim: Artikulli është edituar. Kryeministri Albin Kurti dhe emisari i qeverisë gjermane, Manuel Sarrazin kanë biseduar përmes telefonit, por nuk janë takuar, siç është raportuar fillimisht.