Kurti bisedoi me presidentin malazez, nuk diskutuan fare për demarkacionin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të martën njoftoi se ka pasur një bisedë telefonike me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë komunikim përmes telefonit, Kurti dhe Gjukanoviq diskutuan për çështjen e pandemisë COVID-19 dhe për reagimet e dyja qeverive në luftën kundër këtij virusi.

Mirëpo, nuk është përmendur në komunikatë nëse është diskutuar për tema të tjera.

Një nga çështjet që ka mbetur për t’u diskutuar mes Kosovës dhe Malit të Zi është Marrëveshja për demarkacionin.

Mirëpo, në telefonatën e djeshme, kjo temë nuk është diskutuar fare.

Në shkurt të 2018, presidentët e Kosovës dhe Malit të Zi, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviq ishin marrë vesh që palët do t’i bëjnë rishikimin dhe korrigjimet e nevojshme në sektorin Çakorr dhe Kulla e Zhlepit.

Një nga kundërshtarët më të mëdhenj të mënyrës se si është bërë demarkimi mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë Lëvizja Vetëvendosje.

Madje, kryeministri Kurti, gjatë kohës sa ke qenë në opozitë kishte kritikuar disa herë ish-kryeministrin Ramush Haradinaj se nuk po e bënë rishikimin e vijës kufitare.

Ndonëse çështja e Demarkacionit me Malin e Zi nuk është diskutuar fare, nga Zyra e Kryeministrit thonë se kjo temë do të diskutohet sapo të përfundoj pandemia COVID-19.

“Me sa di unë, është diskutuar për dy tema: për fushatën kundër pandemisë COVID-19 dhe raportet ndaj Serbisë”, ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Sipas tij, Kurti dhe Gjukanoviq janë dakorduar që për çështjet bilaterale mes dyja vendeve t’i diskutojnë pas përfundimit të pandemisë, në një takim që do ta kenë.

“Janë dakorduar që për të gjitha temat e çështjet tjera, përfshirë këtu pengesat e ndryshme në marrëdhëniet bilaterale, do të takohen me të përfunduar pandemia dhe do t’i diskutojnë të gjitha. Por, në këtë bisedë të parë të zhvilluar me telefon janë përqendruar në ato dy tema urgjente”, ka thënë për KALLXO.com, zëdhënës i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Marrëveshja e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi është miratuar në mars të 2018, gati se 3 vjet më vonë prej se ishte nënshkruar marrëveshja mes dy vendeve.

Demarkacioni ishte votuar me 80 vota pro.