Kurti bisedoi me ministren Morton: Britania mund të luajë rol që Kosova të sigurojë njohje dhe anëtarësim në NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë ditës zhvilloi një takim virtual me ministren për Fqinjësi Evropiane dhe Amerikë në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, Wendy Morton.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, ministrja Morton e uroi Kurtin për fitoren e 14 shkurtit dhe shprehu gatishmërinë për të punuar bashkë e për të rritur bashkëpunimin në mes dy vendeve, “sidomos në agjenda të përbashkëta, si ajo e sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit, si dhe për të vazhduar me ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në procesin e rekrutimit të shërbyesve të lartë civilë”.

Më tej, ministrja Morton foli edhe për rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë.

“Kryeministri Kurti e falënderoi ministren Morton për rolin e rëndësishëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe mbështetjen e vazhdueshme që i ofron Kosovës në të gjitha fushat, duke e cilësuar atë ndër aleatët më të afërt të Republikës së Kosovës. Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar si anëtare e fuqishme e NATO-s mund t’i ndihmojë Kosovës në përshpejtimin e anëtarësimit në këtë organizatë, dhe se ajo mund të luajë rol të rëndësishëm te anëtarët e Komonuelthit (Commonwealth) për të siguruar njohje të reja për Kosovën”, thuhet në kumtesë.

Në takim, kryeministri Kurti po ashtu theksoi se prioritet i Qeverisë është krijimi i vendeve të reja të punës, dhe se është e gatshme që të rrisë bashkëpunimin bilateral në mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe atë të tregtisë.

Kurse, sa i përket dialogut me Serbinë ai tha se duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me parime, dhe duhet t’u shërbejë qytetarëve.