Foto: ZKM

Kurti bëri homazhe te varri i Hasan Prishtinës

Pas mbledhjes së parë të përbashkët të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, kryeministri Albin Kurti nga Tirana vazhdoi për në Kukës.

Sipas komunikatës së ZKM-së, kryeministri Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule te varri i patriotit e veprimtarit, Hasan Prishtina.

Tutje sipas komunikatës, pas homazheve, kryeministri Kurti takoi kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, drejtuesin politik të Qarkut Kukës, Pandeli Majko, si dhe prefektin e Qarkut Kukës, Ali Hallaçi.

Në këtë takim, sipas komunikatës, u bisedua për shënimin e përbashkët të 150-vjetorit të lindjes së veprimtarit dhe patriotit të paepur shqiptar Hasan Prishtina, më 27 shtator të vitit të ardhshëm.

Për herë të parë në histori, Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë sot kanë mbajtur mbledhje të përbashkët, për të shënuar 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.