Kurti: Beogradi po dëshiron që serbët në jug t’i shpallin tradhtarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar situatën në veri duke thënë se Beogradi dëshiron që t’i shpall serbët në jug tradhtarë duke përfshirë këtu sipas tij edhe ministrin e ri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

“Po dëshirojnë që serbët në jug si puna e ministrit të ri, Nenad Rashiqit, t’i shpallin tradhtarë, e shqiptarë e kështu me radhë. Kjo është plani B i tyre, po siç ka dështuar plani A i tyre, do të dështojë edhe B-ja” – tha Kurti në Kuvend.

Kryeministri u shpreh se përpjekja e Beogradit është që të instumentalizojë dallimin etnik.

“Përpjekja e Beogradit është ta ndajë Kosovën si një situatë në të cilën dallimi etnik shkakton konflikt, nuk është e vërtetë. Ju e dini se në Kuvend ka pasë deputetë serbë dhe asnjë incident fizik. Dallimi etnik instrumentalizohet prej Beogradit. Ne nuk luftojmë por dikush e instrumentalizon dallimin sepse e do territorin tonë” – theksoi Kurti.

“Kur e panë që nuk po kanë sukses me ndarjen e shqiptarëve dhe serbëve, thanë ‘serbët në veri janë ndryshe prej këtyre në jug’”- shtoi ai.

Më tej, kreu i ekzekutivit tha se Mbretëria e Bashkuar ka vendosur në listë të zeze të krimit dhe shkelësve të drejtave të njeriut, disa figura që siç tha Kurti “e kanë shtabin në hotelin e tyre në faqen e Kopaunikut që është anën tjetër të kufirit të Kosovës me Serbinë”.

“Politika e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka vendosë një listë të zezë të figurave të ndryshme të krimit e të shkelës së të drejtave të njeriut dhe jo vetëm. E në atë listë prej 30 vetave ka kriminelë të cilët e kanë shtabin në hotelin e tyre në faqen e Kopaunikut që është anën tjetër të kufirit të Kosovës me Serbinë”- tha mes tjerash kryeministri Kurti.

Ditëve të fundit në komunat veriore ka pasur tensione, para pak ditësh janë sulmuar zyrat e komisionit qendror të zgjedhje, ndërsa dje është plagosur një zyrtar policor.

Në orët e vona të ditës së djeshme, një zyrtar policor ka mbetur i plagosur nga të shtëna armësh në Zveçan.