Kurti bën thirrje mos të quhet patriot Faton Hajrizi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që mos ta quajnë patriot Faton Hajrizin, që u vra në Serbi.

Kurti tha që qytetarët mos të bien bre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit.

“Patriot në Republikën e Kosovës është rreshteri Afrim Bunjaku i vrarë në Basnjkë të Zveçanit. Patriotë janë 23 policë të Kosovës të rënë në krye të detyrës. E pikërisht këtë javë 26 korrikun e shënojmë për policët e rënë në krye të detyrës”- tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ndërkohë, Kurti tha se sqarimi i rrethanave që nga ikja drejt Serbisë deri te vrasja e tij kërkon hetim vendor dhe ndërkombëtar.

Më 22.07.2024, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se Faton Hajrizi është qytetari i cili është vrarë nga Policia serbe në vendin fqinj, Serbi.

Në një njoftim për media, MPJD tha se janë testuar disa shenja të gishtërinjve të cilat kanë rezultuar se janë të Faton Hajrizit.

Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës më 06.07.2024. Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona që dyshohet se e kishin ndihmuar Faton Hajrizin të arratisej nga burgu.

Faton Hajrizi i cili kërkohej nga autoritetet e Serbisë për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri, është vrarë në fshatin Trbushnicë, në pjesën perëndimore të Serbisë.