Kurti bën homazhe në Studime: Është koha e fundit që kriminelët të paguajnë për të bëmat e tyre

Në 21 vjetorin e masakrës së Studimes, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe në varrezat e fshatit nga Vushtrria.

Në këtë masakër para 21 viteve humbën jetën 116 persona.

“Shumica e qytetarëve të Vushtrrisë dhe të fshatrave në rrethinë ishin larguar me forcë nga shtëpitë e tyre prej forcave serbe në fund të Marsit dhe fillimit të Prillit 1999, përderisa disa prej tyre ishin në gjendje të rrinin deri më 2 Maj”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

“Më 2 Maj 1999 policia Serbe dhe forcat paramilitare kishin nxjerrë me forcë nga konvoi qytetarët, u kishin kërkuar para dhe më pas i kishin vrarë 116 persona në vend. Krejt kjo kishte ndodhur brenda 2 orësh”, thuhet tutje në njoftim.

“Sot, 21 vjet pas, akoma askush nuk ka marrë përgjegjësi dhe askush nuk ka kërkuar falje për këtë masakër. Është koha e fundit që kriminelët të paguajnë për të bëmat e tyre”, thuhet në fund të njoftimit.