Kurti bën homazhe në Marinë në nderim të dëshmorëve Rasim Kiçina e Ragip Halilaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Marinë të Komunës së Skenderajt, në nderim të rënies heroike të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj.

Në një komunikatë për media thuhet se kryeministri Kurti “vendosi lule të freskëta në përkujtim të rënies heroike të dy luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në betejën e ashpër me forcat serbe”

“Duke ju falënderuar luftës së tyre e shokëve të tyre, dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës, dhe popullit mbarë, gëzojmë lirinë dhe e kemi shtetin, tha Kryeministri, duke ritheksuar se u jemi përjetë mirënjohës dhe falënderues”- thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Kryeministri është shprehur se kjo duhet bartur brez pas brezi dhe institucionalizuar në muze në mënyrë që të mësohet historia e dëshmorëve.

Në bashkëbisedim me familjarët e dëshmorëve, Kurti ka vlerësuar kontributin e këtyre dy familjeve patriotike dhe i ka falënderuar për qëndresën e tyre.