Kurti: Bëmë hapin e parë drejt themelimit të Fondit Sovran

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka reaguar për votimin e Kuvendit për shkarkimin e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ai këtë e ka quajtur si hap të mirë që vjen ngadalë, por duke theksuar se e keqja duhet të ndalet shpejt.

“Të mirat vijnë ngadalë, por të këqijat duhen ndalur shpejt. Sot Kuvendi votoi për shkarkimin e bordit të AKP-së, që të ndalet tjetërsimi e zhvatja”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, ky është hapi i parë drejt shuarjes së këtij institucioni dhe themelimit të Fondit Sovran.

“Ky është vetëm hapi i parë drejt shuarjes së këtij institucioni, gjë që hap rrugën për themelimin e Fondit Sovran. Si Qeveri, sot po ashtu jemi autorizuar që të propozojmë një bord të ri para Kuvendit, bord i cili do të ketë një mandat të ri, në përputhje me strategjinë zhvillimore të Qeverisë sonë”, shtoi ai.

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot ka shkarkuar Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Kuvendi shkarkon Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit