Albin Kurti në Ohër

Kurti: BE-ja të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht detyruese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i takon Bashkimit Evropian që të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht detyruese.

Duke shkruar në Twitter, pas takimit të mbrëmshëm, Kurti tha se është arritur një marrëveshje mbi një shtojcë të zbatimit të Marrëveshjes Bazë.

Kurti ka falenderuar shefin e politikës së jashtme të BE, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak për angazhimin e tyre, si dhe Maqedoninë e Veriut për mikpritjen.

“Ne kemi arritur tani një marrëveshje mbi një shtojcë të zbatimit të Marrëveshjes Bazë. Serbia, ashtu si në takimin e fundit në Bruksel, shmangu nënshkrimin e Marrëveshjes, dhe tani edhe Aneksin. Varet nga BE të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht detyruese” – ka shkruar Kurti.

 

Dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një takim trilateral të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve.

Pas takimit maratonë në Ohër, kryeministri Kurti ndër të tjera, tha se ashtu si më 27 shkurt edhe dje në Ohër Serbia i ka ikur nënshkrimit të aneksit për zbatimin e marrëveshjes.

Ai shtoi se ka pasur pajtim publik mes palëve, teksa e ka cilësuar dakordimin e arritur si njohje de facto.

Kurti: Serbia po i ikë nënshkrimit të marrëveshjes