Albin Kurti, Foto: KALLXO.com

Kurti: Bashkimin kombëtar nuk e përzgjedhim ne, ai na zgjedh neve

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka deklaruar se bashkimi kombëtar mbetet pjesë e programit të LVV-së.

Në një konferencë për media për 16-vjetorin e themelimit të partisë, Kurti tha se bashkimi kombëtar i përzgjedh ata.

“Padyshim që edhe në programin e Lëvizjes Vetëvendosje, bashkimi kombëtar që është më shumë se bashkim me Shqipërinë, shihet si intencë historike, të cilën nuk e përzgjedhim ne, po na përzgjedh ajo neve. Pra, aq e thellë është saqë nuk mund të thuash që këtë çështje e përzgjedh si një produkt të dëshiruar, por përkundrazi, në ecjen e përbashkët tonë përzgjidhemi prej saj.  Andaj programi i Vetëvendosjes është po ai dhe alternativa jonë qeverisëse është po ajo, andaj synimet tona vazhdojnë të mbeten të njëjta”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se po përdorin mekanizma drejt afrimit të integrimit me Shqipërinë.

“Mirëpo ne përdorim gjithnjë më shumë mënyra, gjithnjë më shumë mekanizma e instrumente për ta realizuar qëllimin e njëjtë, të bëjmë hapa drejt afrimit të integrimit me Republikën Shqipërisë dhe t’i ndihmojmë shqiptarët kudo që janë në Ballkan që të faktorizohen sa më shumë e sa më shpejt. Nuk na përket neve si politikanë t’ua përcaktojmë fatin shqiptarëve të tjerë, por të jemi në shërbim të tyre që ata të vendosin vetë për atë që ua do zemra e ua thotë mendja”, theksoi ai.