Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Bashkëluftëtarët e Adem Jasharit po mbahen në Hagë për luftën e pashembullt për liri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit, që po mbahet në nderim të familjes Jashari ka përmendur edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në Hagë.

Kurti duke ngritur në piedestal luftën e familjes Jashari.

Në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Kurti ka thënë se sot bashkëluftëtarët e Adem Jasharit po mbahen në Hagë për luftën e pashembullt të UÇK-së.

“Është e pamundur të mos e përmend që në kohën kur ne e kujtojmë një prej masakrave më të tmerrshme të luftës sonë çlirimtare dhe prej heroizmave më të pashembullt, në Hagë kemi bashkëluftëtarë të Adem e Hamës Jasharit që mbahen në burg, pikërisht për këtë luftë, pikërisht për këtë narrativë që ne e kemi ndërtuar me gjak, ndërsa Serbia dëshiron ta rindërtojë me gënjeshtra”, ka thënë Kurti.

Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me 6 akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Për këto akuza ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.

Sulmi i forcave serbe që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili në mes 5 dhe 6 marsit u largua she shpëtoi, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ishte dëshmitare e vrasjes së anëtarëve të familjes së saj.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne me rastin e 24-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, me të vetmen pikë të rendit të ditës për shënimin e këtij përvjetori.