Foto: ZKM

Kurti: Barrikadat nuk vijnë nga poshtë por vendosen nga lart

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hyrje të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës e ka dhënë sqarime ndaj fushatës “dezinformuese” për regjistrimin e automjeteve me targat zyrtare të Republikës së Kosovës nga ana e serbëve.

Kurti tha se Ministria e Punëve të Brendshme i ka publikuar gjitha njoftimet në gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe, ndërkaq në të njëjtën kohë sipas tij u ngrit një fushatë e dezinformimit.

“Përgjatë muajit korrik bashkë me MPB kemi dhënë njoftimin për regjistrimi e automjeteve me targat zyrtare RKS  dhe sqarimet për procedurat dhe lehtësimet. Edhe unë vet jam përfshirë në fushatën e informimit. Ndërkaq Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar gjitha njoftimet në gjuhën shqipe e serbe teksa ka pas aktivitete informuese edhe në terren. Përballë fushatës sonë të informimit, u ngrit një fushatë e dezfintromimit e cila nxiste frikë dhe synonte destabilitet”, tha Kurti.

Sipas tij barrikadat u bënin rezistencë vendimeve të tyre vetëm për të mbrojtur krimin e organizuar në veri të vendit.

“Konvertimi i targave të automjeteve nga ato ilegale në RKS i shërben rendit dhe ligjit, sigurisë publike në Republikën tonë”, tha Kurti.

Kurti shtoi se nuk është e vërtetë që dokumentet serbe do të konfiskohen në kufi, në këmbim të dokumentit për hyrje dalje.

“Kjo nuk është e vërtetë. Dokumenti për hyrje dalje është dokument shtesë i cili jepet pa pagesë dhe me të cilin mund të merren edhe shërbime tjera në institucionet shtetërore gjatë qëndrimit në Kosovë. Më 1 gusht për aq sa ishte vendimi në fuqi në pikat kufitare mes Kosovës e Serbisë ishin lëshuar gjithsej 2 mijë e 679 dokumente për hyrje dalje, asnjë incident nuk ishte shënuar dhe asnjë ankesë nuk ishte deponuar”, tha kryeministri.

Sipas tij sot dezinfomimi paraqet rrezik për sigurinë kombëtare, prandaj ka bërë thirrje që të përcillen njoftimet e qeverisë dhe institucioneve tjera bartëse, të verifikohen burimet e lajmeve dhe mos të dezinformohen.

“Fushata e informimit për regjistrimin e tabelave të veturave do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet as pas 1 shtatorit kur edhe do të rifillojmë së zbatuari vendimet e tona”, tha Kurti.

Kurti shtoi barrikadat nuk përfaqësojnë qytetarët e Kosovës e as nuk i mbrojnë ata.

“Ne e dimë që barrikadat nuk vijnë nga poshtë po vendosen nga lart, ato as nuk përfaqësojnë qytetarët tanë e as nuk i mbrojnë”, përfundoi ai.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se më 1 shtator do të fillojë organizimi i procesit për regjistrimin e targave ilegale në ato RKS.

Ky proces që pritet të fillojë nga 1 shtatori dhe do të zgjas deri më 31 tetor pra për dy muaj rresht.

Regjistrimi do të bëhet në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.

Më 31 korrik, mjete të rënda ishin vendosur në fshatin Zupç të Zubin Potokut.

Burimet e KALLXO.com kishin njoftuar se automjetet e rënda ishin vendosur në rrugë nga persona të maskuar, e madje edhe largimi i tyre u bë nga persona që po ashtu ishin të maskuar dhe vështirë të identifikueshëm.

Këto mjete ishin larguar një ditë pas.

Historia e barrikadave në veri të Kosovës