Kurti: Avancimi i të drejtave të fëmijëve është edhe përkushtim gjithëshoqëror

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, tha se garantimi dhe avancimi i të drejtave të fëmijëve është sa detyrim e përgjegjësi shtetërore, edhe përkushtim gjithëshoqëror

Këto komente, Kurti i bëri në takimin që bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve ka pritur në takim një delegacion nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF).

“Respektimi i tyre dhe i të drejtave të njeriut në përgjithësi, është treguesi më i mirë i demokratizimit të një vendi dhe kjo është një rrugë që e synojmë dhe që do ta ndjekim gjithsesi”, ka thënë Kurti në këtë takim.

Ai më tej tha se Qeveria ka prioritet edukimin e hershëm dhe qasjen e integruar të shërbimeve për këto grup-mosha dhe fuqizimin e mekanizmave gjyqësor dhe procedurave që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Përfaqësuesit e KOMF falënderuan kryeministrin Kurti për dedikimin e tij dhe të kabinetit në trajtimin dhe adresimin e sfidave të fëmijëve të Kosovës, sidomos atyre të cilat janë shkaktuar nga pandemia COVID-19. Sipas tyre, për shkak të periudhave të zgjatura të izolimit, pandemia ka rënduar gjendjen e fëmijëve, në veçanti atyre të cenueshëm dhe me aftësi të veçanta. Kjo ka ndikuar edhe në përkeqësimin e shëndetit mendor të fëmijëve.