Kurti: Asociacioni mund të adresohet në planin franko-gjerman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohet në planin e Bashkimit Evropian i cili më herët është quajtur plani franko-gjerman.

Në një konferencë për media pas takimit me kancelarin austriak Karl Nehammer në Vjenë, Kurti tha se plani franko-gjerman ka mbështetjen e Kosovës dhe është një bazë e mirë.

“BE-ja dhe Borrelli insistojnë që ai plan të quhet propozimi i BE-së, mbështetur nga Gjermania e Franca. Këtë e pranoj plotësisht. E kemi pranuar këtë propozim më 9 shtator, ne besojmë bazë e mirë ky propozim për të vazhduar më tutje në negociata. Pra jemi në një moment kur flasim e diskutojmë për një marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, Asociacioni mund të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe jo ndonjë mënyrë tjetër.

“Sipas Kushtetutës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga Ahtisaari ish-presidenti finlandez që e ka fituar çmimin Nobel, në frymën e saj nuk lejon Asociacion një etnik. Fjalia e parë e atij plani, asaj zgjidhje, thotë që Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike. Asociacionet apo institucionet monoetnike nuk janë në frymën e atij plani të Kushtetutës. Megjithatë, ne ofrojmë garancitë më të mëdha për të gjitha pakicat në Kosovë. Jam shumë i angazhuar në këtë drejtim, pa nënvlerësuar kushtetutshmërinë e vendit tonë”, theksoi Kurti.

BE dhe SHBA kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të fillojnë procedurat për themelimin e asociacionit të komunave me shumë serbe.

Një kërkesë të tillë, dje e bëri edhe Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili  tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, paraqet gurthemelin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, ku gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe mund të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit në vitin 2013. Ndërsa, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015 nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Në dhjetor të 2015, BIRN dhe Internews Kosova kishin publikuar raportin e “Big Deal”, në të cilin ishte analizuar dhe monitoruar implementimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të dala nga procesi i dialogut në Bruksel.

Këtu mund ta gjeni raportin e vitit 2015 për implementimin e marrëveshjeve. Në këtë raport flitet edhe për Asociacionin.

Aty theksohet se Asociacioni do të përfshijë katër komunat e veriut, si dhe Graçanicën, Shtërpcen, Novobërdën, Kllokotin, Ranillugun dhe Parteshin, me Gaçanicën si qendër rajonale për komunat jugore.

Marrëveshja fillestare e vitit 2013 parashihte se Asociacioni do të themelohej dhe do të ishte funksional deri në fund të atij viti. Mirëpo, implementimi pati një lloj ngecje deri në verën e vitit 2015. Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia u pajtuan në Bruksel lidhur me një varg parimesh dhe elementesh kryesore të Asociacionit.

Chollet: Kosova ta formojë Asociacionin