Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: KALLXO.com
Kurti: Asociacioni është e vetmja marrëveshje e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar darkën e mbrëmshme me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, duke thënë se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Mirëpo sipas Kurtit, kjo marrëveshje “nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses”.
“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që asociacioni i komunave me shumicë serbë ashtu siç është nënshkruar me datën 19 prill 2013 e më pas i elaboruar në shtatë kapituj me nënshkrimin e 25 gushtin 2015 të theksohet më shumë por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar sepse është vetmja nga 33 që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, pra në një mënyrë mund të themi që ajo marrëveshje e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues sepse nuk e ka kaluar testin”- deklaroi Kurti.
Ai tha se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, duke shtuar se asnjë nga 33 marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të ketë prioritet hierarkik.
“Procesi negociator do të duhej që të na shpie përpara. Unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve por, po e ritheksoj që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierarkik dhe nenet e propozuara nga BE kanë numra përpara që do të thotë se kanë renditje”- u shpreh Kurti.
Kreu i ekzekutivit thotë se marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke sepse sipas Kurtit, vetëm ashtu arrihet normalizimi i marrëdhënieve.
“Ajo se çka ne theksojmë është që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshje tjetër, pra nuk ekziston hierarkia e atyre marrëveshjeve. Këto 10 nene [të propozimit të BE-së] nuk tolerojmë që një nen atje nga fundi të sillet i pari si parakusht dhe mos të harrojmë që marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke sepse vetëm ashtu e bëjmë normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”- tha Kurti.
Më 30 janar, Fondacioni Friedrich Ebert (FES) në Prishtinë ka organizuar një prezantim dhe diskutim me rezultatin në draft-statutin për “Asociacionin e Komunave në Republikën e Kosovës në të cilin serbët janë shumicë”, hartuar në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP).
Në anën tjetër, javën e kaluar pesë emisarë ndërkombëtarë nga SHBA-të dhe BE-ja kanë qëndruar javën e kaluar për vizitë në Kosovë.
Pas takimit, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, kishte thënë se me Kurtin kishte diskutuar për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak tutje ka thënë se shpreson që të shfrytëzohet potenciali i plotë i këtij propozimi.
“Megjithatë në këtë pikë ne kemi pritur mirëkuptim më të mirë në lidhje me atë se çka ofron propozimi. Shpresoj të arrijmë aty dhe të shfrytëzohet potenciali i plotë i këtij propozimi”- ka thënë ai.
Lajçak ka mbërritur të dje në Kosovë dhe ka zhvilluar një takim me kryeministrin Kurti dhe me zv.kryeministrin Bislimi.
Lajçak përmes një postimi në Twitter, deklaroi se me Kurtin dhe me Bislimin kanë diskutuar për çështjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Emisari i BE-së ka theksuar se janë dakorduar që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.