Kurti: Asnjëherë nuk kam dhënë premtime për liberalizimin e vizave

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë për dallim nga paraardhësit e tij asnjëherë nuk ka premtuar datë për liberalizimin e vizave, pasi që sipas tij, kjo nuk varet nga Qeveria e Kosovës.

“Unë jam kryeministër i cili asnjëherë nuk ka bërë premtim me afate lidhur me heqjen e regjimit të vizave për qytetarët, as në fushatë as në detyrë, keni pasur shembuj në të kaluarën ku thuhej 15 muaj, 19 ditë, sivjet, vitin e ardhëm mu nuk më keni dëgjuar ashtu sepse e di që ajo punë nuk varet prej nesh, teksa 95 kritere ishin plotësuar”, tha Kurti.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës kreu u ekzekutivit tha që edhe vet Brukseli nganjëherë jep deklarata kundërthënëse përse i përket liberalizimit të vizave.

“Në muajin e ardhshëm bëhen 4 vite prej kur Komisioni Evropian për herë të dytë ka rekomanduar liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës, mirëpo kjo nuk po ndodhë për shkak të ndonjë vendi anëtar i cili ende refuzon e reziston. Ka nganjëherë deklarata nga Brukseli të cilat nuk janë në linjë as me vet Brukselin dhe ne përpiqemi që me durim, përkushtim, t’i sqarojmë ata, por nuk kemi se çfarë më shumë të bëjmë sesa kaq”, theksoi Kurti.

Kjo përgjigje e Kuritit erdhi pasi deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj dhe deputetja e kësaj partie Blerta Deliu kërkuan hapa konkret nga ana e qeverisë për liberalizmin e vizave.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.

Për tri vjet rresht, liberalizimi i vizave për Kosovën ishte kushtëzuar nga BE-ja me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Por, edhe pse Kuvendi i Kosovës që nga marsi i vitit 2018 e ka ratifikuar këtë marrëveshje, BE-ja ende nuk ka arritur konsensusin e brendshëm për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës