Kurti arsyeton prezencën e Dejona Mihalit në takim me kryekuvendaren Lindita Nikolla

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu ka dashur të dijë se përse Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) ka qenë e pranishme në takimin që kryeministri e Kosovës Albin Kurti e ka pasur me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla.

Musliu në seancën e Kuvendit të Kosovës pati disa polemika me kryeministrin Kurti për pjesëmarrjen e Mihalit në takimin që është mbajtur më 26 mars 2023.

“Në këtë takim me ju prezentë u pa edhe e njohura tashmë Dejona Mihali, a mund të na tregoni një çfarë cilësie ishte ajo në këtë vizitë, dhe cili ishte kontributi i zonjës Mihali në këtë takim?”- ka pyetur deputetja Musliu.

Ndërsa kryeministri Kurti në përgjigjen e tij ka thënë se roli i Mihalit në LVV ka qenë i asaj natyre që është dashur të jetë pjesëmarrëse edhe ajo.

“Dejona Mihali është bashkëpunëtore e imja e kamotshme dhe ajo ka vlerë të shtuar në rolin e saj edhe si drejtuese e komiteteve, dhe punës që bënë me Kuvend për koordinimin me grupin parlamentar për nga fushat profesionale”- tha ai.

“Znj. Mihali nuk ka qenë pjesë e takimeve me presidentin Begaj dhe kryeministrin Rama por vetëm me kryetaren Nikolla veçanërisht për shkak të karakterit të punës së saj me parlamentin”- theksoi Kurti.

Në anën tjetër deputetja Musliu insistoi se kryeministri e ka shkelur protokollin, sepse sipas saj është dashur të merren këshilltarët e të gjitha grupeve parlamentare.

“Kjo tregon qartë se sikurse grupi parlamentar edhe ju si kryeministër jeni i kontrolluar dhe i përfillni direktivat që vinë nga ajo e që nuk dihet kush e dirigjon Dejona Mihalin në institucionet e vendit”- tha ajo.

Në anën tjetër Kurti e falënderoi deputeten Musliu për kompliment, sepse sipas tij pas dy viteve ka ngelur puna që ti kapen për Dejona Mihalin.

“Ky është kompliment për qeverisjen tonë, gjithçka ka shkuar aq mirë e madje edhe bukur saqë paska ngelur problemi me Dejona Mihalin. Dejona Mihali është nga Tirana se mënyra qysh po e shtroni pyetjen mos po mendon ndokush se është nga Beogradi. Andaj me lejoni të jau bëjë unë një pyetje, pse s’bën me ardh Dejona Mihali me mua në Tiranë?” – tha Kurti.

Ndërsa deputetja Musliu theksoi se pjesëmarrja e Dejona Mihalit “është shpërdorim i taksave të qytetarëve dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare nga Kurti’.

Më 26 mars, kryeministri Kurti ka vizituar Shqipërinë ku është takuar me krerët e këtij vendi duke përfshirë edhe kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla të cilët i ka informuar për marrëveshjen e Ohrit.

Kurti takon kryekuvendaren e Shqipërisë Lindita Nikolla, e informon për marrëveshjen e Ohrit