Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Arben Xheladini dhe Mon Balaj janë dëshmorë të vullnetit të popullit për liri

Në 14 vjetorin e vdekjes së aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Mon Balaj dhe Arben Xheladini, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti ka vendosur lule në pllakën përkujtimore në bulevardin “Nënë Tereza”.

Kurti tha demonstruesit e 10 shkurtit, po kërkonin pavarësinë dhe po kundërshtonin pakon e Ahtisarit, kur mbi ta janë shkrepur 232 plumba gome.

“Para 14 viteve në këtë shesh janë shkrepur 232 plumba gome mbi trupat e protestuesve paqësor dhe të paarmatosur, teksa po tërhiqeshin nga gazi lotsjellës. 8 sekonda pas gazit lotsjellës, janë shkrepur nga policia e UNMIK-ut, nga njësiti rumun, mbi demonstruesit të cilët po kërkonin pavarësi të plotë për Kosovë, po kritikonin e kundërshtonin pakon e Ahtisarit dhe padrejtësitë e saj që e gjymtonin sovranitetin”, tha Kurti.

Kandidati i LV-së për kryeministër tutje tha se drejtësia për vrasjen e dy aktivistëve qysh në fillim ka qenë drejtësi e mohuar.

“Arben Xheladini dhe Mond Balaj, janë dëshmorë të vullnetit të popullit për liri. Drejtësia e vonuar për ta, është pikë së pari, drejtësi e mohuar qysh në start me qenë se njësiti rumun i UNMIK-ut, u pat lejuar ta lirojnë Kosovën, ndërkohë që paraprakisht u patën intervistuar si dëshmitarë dhe jo të dyshimte”, tha Kurti.

Më 10 shkurt 2007, dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje Arben Xheladini dhe Mon Balaj mbetën të vdekur pasi u qëlluan me plumba gome nga policët rumunë të misionit të UNMIK-ut derisa po protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisarit.